Kryeministri Edi Rama ndodhte për një vizitë zyrtare në Çeki.
Në përfundim të takimit me homologun çek, Bohuslav Sobotka, dy kryeministrat dolën në një konferencë të shkurtër për shtyp. Nga deklarata e dy krerëve të qeverive, por edhe nga e vetmja pyetje që u lejua tu adresohej, nuk u përmend aspak kompania shtetërore çeke CEZ, e cila në Shqipëri ka lënë pas, me ikjen e saj, shumë andralla dhe ka hapur shumë debate.
Por nga dy kryeministrat nuk munguan frazat “limonadë” për “vlerësim reciprok të nivelit të bashkëpunimit”…, apo “për ndihmën dhe mbështetjen për integrimin”…, etj si këto.
Jo vetëm kaq, por Rama shkoi më tej, kur nuk e fshehu xhelozinë pse në qeverinë e Sobotkës ka më shumë gra se në qeverinë e tij. Nuk munguan edhe deklaratat për emigrantët sirianë…, por asnjë fjalë për CEZ.
Mësohet se gjatë kësaj vizite janë nënshkruar pesë marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve në fusha të ndryshme. Marrëveshjet synojnë të rrisin bashkëpunimin në turizëm, arsim, mjedis, katastrofat natyrore dhe njohjen e pensioneve.
Marrëveshjet u nënshkruan gjatë vizitës njëditore që kryeministri Edi Rama po zhvillon në Çeki, dhe ku shoqërohet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Arben Ahmetaj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinise, Blendi Klosi.











