Prokuroria shqiptare nuk ka dëshmitar të mbrojtur në çështjen e hetimit për skandalin e mbledhjes abuzive të borxheve të ish-kompanisë CEZ nga kompania e Kastriot Ismailajt, biznesmen i arrestuar për këtë çështje, shkruan sot gazeta Panorama. Personi për të cilin bëhet fjalë është ish-drejtori ekzekutiv, i kompanisë DIA në Shqipëri i cili mendohet se është kërcënuar lidhur me deshmitë që ai ka dhënë për skandalin e CEZ. Policia e Shtetit ka thënë dje për gazetën se nuk ka marrë deri dje në mbrëmje asnjë denoncim nga ky person për kanosje apo ndonjë kërcënim dhe nga tjetër konfirmoi se ish-zyrtari i DIA është person që mbahet në mbrojtje nga forcat speciale të repartit RENEA, të paktën që nga dhjetori i vitit 2014. Sipas burimeve të Policisë së Shtetit, ruajtja e ish drejtorit të kompanisë së Kastriot Ismailajt është bërë me vendim të komisionit përkatës.
Policia ka thënë se masat mbrojtëse për këtë dëshmitar u vendosën në vitin 2014, kur ai u thirr si dëshmitar në Gjykatën e Arbitrazhit në procesin gjyqësor që CEZ hapi me Qeverinë Shqiptare pas largimit nga vendi ynë.
“Konfirmojmë se aktualisht shtetasi në fjalë ruhet nga efektiva të RENEA”-s, thanë burimet e Policisë. Pa dashur të japin sa më shumë detaje, të njëjtat burime thanë se masat e sigurisë janë lënë në fuqi edhe pse CEZ-i u tërhoq nga gjyqi me Shqipërinë në Arbitrazh dhe për pasojë procesi u shua.












