Syriza doli fituese e madhe me 35.47 për qind duke zotëruar në Parlament 145 vende, vetëm katër më pak se fitorja që kishte në zgjedhjet parlamentare të nëntë muajve më parë.
“Në Evropë sot, Greqia dhe populli grek janë sinonim me rezistencë dhe dinjitet, dhe kjo luftë do të vazhdojë së bashku për katër vite”, tha Cipras në një miting të fitores në Athinë.
Partia e krahut të djathtë Grekët e Pavarur siguruan 10 vende, që do të thotë Tsipras mund të vazhdojë qeverinë e koalicionit që ai drejtoi derisa dha dorëheqjen dhe bëri thirrje për zgjedhje muajin e kaluar.
Tani qeverisë së re i duhet të zbatojë marrëveshjen me donatorët që parashikon realizimin e reformave shtrënguese, pavarësisht premtimit zgjedhor fillestar të Syriza-s për t’i dhënë fund masave të tilla, të cilat mbeten një barrë e rëndë për popullin grek.
Partia e krijuar nga deputetët e zhgënjyer të Syriza e quajtur Platforma e Majtë, e udhëhequr nga ish ministri i energjisë Panajotis Lafazanis, nuk ia doli të kalojë pragun e nevojshëm për të fituar ndonjë vend në parlament.
Disa politikanë evropianë të krahut të majtë kanë përgëzuar tashmë Tsipras për fitoren e tij, duke përfshirë edhe presidentin socialist francez, Francois Hollande. “Është një sukses i rëndësishëm për Evropën e cila duhet të dëgjojnë mesazhin e grekëve”, shtoi lideri francez.
Ministri holandez i financave Jeroen Dijsselbloem, i cili kryeson Eurogrupin, ishte gjithashtu e shpejtë në urimet për Tsipras. Dijsselbloem shkruan se tashmë “po pret formimin e shpejtë të qeverisë së re me një mandat të fortë për të vazhduar procesin e reformave”.
Pas fitores, të dielën në mbrëmje, Tsipras u shfaq në mitingun e fitores së bashku me kreun e Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos, dhe tha se të dy partnerët do të mbajnë bisedimet e koalicionit.
“Ne do të vazhdojmë, me Panos Kamenos, nën flamurin e ndershmërisë”, tha Tsipras.
Rezultati ishte një surprizë për ata që mbështeteshin kryesisht në sondazhet e opinionit publik në prag të zgjedhjeve, të cilat treguan një garë kokë më kokë mes Syriza dhe Partisë Konservatore të opozitës Demokracia e Re.
Demokracia e re fitoi 28 përqind të votave, duke siguruar 75 vende; një më pak se në zgjedhjet e janarit. Neo-fashistet grekë të Agimit të Artë fitoi me 7 për qind të votave 18 vende dhe do të jetë partia e tretë më e madhe në parlamentin 300 vendesh.
Partia e Qendrës së majtë, PASOK gjithashtu siguroi 17 vende, nga 13 që kishte në parlamentin e mëparshëm. Partia Komuniste mbeti stabël me 15 vende. Partia e qendrës Potami përfundoi me 11 vende, nga 17, por një tjetër parti e qendrës, Unioni i Centristëve kaloi pragun për herë të parë në ekzistencën e tij 23-vjeçare, dhe hyri në parlament me 9 deputetë.











