A ka pasur një vendim gjykatë për akuzat ngritur ndaj Lulzim Bashës tetë vjet më parë nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me financimin e rrugës Durrës-Kukës?
Me dhjetra deklarata politikanësh të majtë theksojnë se për zotin Basha nuk ka pasur asnjëherë një vendim gjykate dhe se procesi i hetimit të tij u mbyll për arsye procedurale.
Por jo vetëm politikanë por edhe gazetarë kritikë të PD-së, e kanë pasur argument ditor supozimin se Lulzim Basha ka një gjyq të pambyllur që duhet ta mbyllë përpara se të kërkojë dekriminalizmin e politikës dhe institucioneve.
Kryetari i PD-së ka deklaruar disa herë se ato janë vetëm supozime dhe se gjyqi ka shkuar deri në fund duke ndjekur të gjithë hapat e tij. Së fundi gjatë një interviste në vizion plus të enjten që shkoi sërish deklaroi se ka pasur një proces gjyqësor.
Droni.al ka siguruar vendimin e Gjykatës së Lartë në të cilin shpjegohet gjithë procesi hetimor dhe gjyqësor deri në përfundimin e tij.
Gjyqi është zhvilluar më vitin 2009 në Gjykatën e Lartë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga gjyqtarët: Spiro Spiro, kryesues, me anëtarë gjyqtarët Perikli Zaharia, Irma Bala, Besnik Imeraj, Aleksander Muskaj.
Prokurorë të cështjes kanë qënë Artur Selmani e Arben Kraja.
Seancat gjyqësore janë zhvilluar me dyer te hapura, në datat 30 janar, 27 shkurt, 16 mar dhe 10 prill të vitit 2009.
Gjyqi është zhvilluar mbi akuzën ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme për Personin nën Hetim, Lulzim Basha dhe të pandehurin Andi Toma: “Per krimet e shpërdorimit të detyrës dhe të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, të kryera në bashkëpunim, që parashikohen, përkatësisht, nga nenet 248 dhe 258 te Kodit Penal, në lidhje me nenin 25 të tij”
Avokatët mbrojtës kanë qënë Zef Nikaj për Bashën dhe Genci Gjokutaj për Tomën.

Faksimile e vendimit te Gjykates se Larte
Në përfundim të procesit gjyqësor trupi gjykues ka vendosur “Pushimin e gjykimit të çështjes penale nr. 1, të vitit 2007, që i përket deputetit Lulzim Basha dhe shtetasit Andi Toma dhe vendimi ka qënë i formës së prerë.

Faksimile e vendimit te Gjykates se Larte











