Deputeti i Partisë Socialiste Namik Dokle i ka dalë në mbrojtje Sali Berishës, duke hedhur poshtë dëshminë e Izet Haxhisë, ish-truprojës së ish-presidentit e kreut te PD që e akuzonte se ka marrë dhuratë një makinë të blinduar nga Miri i Xhikes, trafikant droge i vrarë në vitin 2003.
Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, socialisti Dokle thotë se deklarata e Izet Haxhisë se makina që Berisha përdori për 7 vjet ju dhurua nga Miri i Xhikes është një mashtrim. Dokle shkon më tej kur rrëfen një bisedë që ka pasur me Sali Berishën në Strasburg në vitin 2003, ditën që u vra Miri i Xhikes (Fatmir Rama).
“Ditën e vrasjes së këtij Mirit, rastisëm në një drekë zyrtare, në një qytet të vogël afër Strasburgut dhe Berisha po urdhëronte dike në telefon:” Shiko… dëgjo… mbani shënim emrat e socialistëve që do të shkojnë në varrim… nxirrini në gazete si të korruptuar… të lidhur me krimin… dëgjo… shiko…”, shkruan Dokle
Akuzat e Izet Haxhisë
Ish-truproja i presidentit dhe kreut të PD-së Sali Berisha ka hedhur një tjetër akuzë ndaj liderit historik demokrat. Sipas tij, Miri i Xhikes (Fatmir Rama i vrarë në vitin 2003) i ka bërë dhuratë Berishës makinën e blinduar Mercedez Benz një muaj pas vrasjes së Azem Hajdarit në vitin 1998. Këtë makinë Berisha e ka përdorur deri në vitin 2005 kur u bë kryeministër.
Sipas rrëfimit të Izet Haxhisë për gazetën “Dita”, kjo makinë ka qenë e blerë në Turqi në vitin 1997 me vlerë 140 mijë franga dhe është përdorur nga ministri i Mbrojtjes turk i asaj kohe. Haxhia thotë se makina më tej është blerë nga Miri i Xhikes me ndërmjetësimin e Shkëlzen Berishës dhe i është bërë dhuratë Sali Berishës. Ish-truproja thotë se Berisha ka qenë në dijeni se e kujt ishte makina.











