Banka Qendrore ka përcaktuar një administrator përmes të cilit do të menaxhohet dhe kontrollohet procesi i asgjësimit të kartëmonedhave, monedhave metalike dhe bonove të privatizimit.

Faksimile e vendimit per ndryshimin e rregullores
Në një vendim të gushtit të këtij viti Këshilli Mbikqyrës ka bërë një ndryshim në rregulloren e “Për asgjësimin e kartëmonedhave, monedhave metalike dhe bonove të privatizimit” duke e kaluar përgjegjësinë e procesit nga zëvëndësguvernatori tek një administrator.
Rregullorja e miratuar në mars të vitit 2013 përcaktonte që këtë proces ta ndiqte zëvëndësguvernatori i bankës.
Pas skandalit të zbulimit të vjedhjes së parave në thesarin e bankës në shumën prej 713 milionë lekë të reja, ky institucion u përfshi nga hetime të mëtejshme ku u arrestua 12 punonjës përfshirë edhe Guvernatorin e Bankës, Ardian Fullani.
Skandali u zbulua nga vetë banka në korrik 2014 por pavarësisht kësaj Fullani u akuzua për shpërdorim detyre pikërisht për faktin se ndër të tjera nuk kishte caktuar zëvëndësguvernatorin për ta ndjekur procesin në Departamentin e Emisionit, duke krijuar kështu boshllëqe në zinxhirin kontrollit të punës në zyrën më delikate të shtetit shqiptar.
Ndryshimi i rregullores që ia kalon përgjegjësinë një administratori nuk është shpjeguar në vendimarrjen e këshillit mbikqyrës të bankës. Por duket se përgjegjësia për këtë departament do të lidhet direkt me Guvernatorin e Bankës duke anashkaluar zëvëndësin e tij sic parashikonte varianti i hershëm i rregullores.












