Autoritetet e futbollit në Shqipëri u kanë kërkuar tifozëve që të ruajnë etikën në ndeshjen e Shqipërisë kundër Serbisë më 8 tetor.
Në një postim të vetin në rrjetet sociale federata kërkon: “Të dashur miq, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit ka një lutje për të gjithë ju! Kurrsesi nuk duhet të bëjmë gjeste në ndeshjen Shqipëri-Serbi më 8 tetor 2015. Ne kemi kulturë dhe nuk duhet të bëjmë veprime të tilla kur të këndohet himni i kundërshtarit siç reklamohet nga mediat antikombëtare, përkundrazi kthimi i shpinës do të na shtyjë në një tension që në minutën e parë të ndeshjes”.
Një zyrtar i lartë i federatës tha se biletat kanë mbiemrin e mbajtësit dhe bëhet edhe kontrolli i kartës së identitetit.
“Ne e dimë që është e rëndësishme fitorja por duhet treguar edhe qytetari, lojë të ndershme dhe respekt për ekipin vizitues. “
Në fakt veprimet e paligjshme të tifozëve në ndeshjen Shqipëri-Serbi, ka gjasa të konsiderohen akte terroriste, duke bërë që fajtorët të dalin përballë Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe të marrin ndëshkime ekzemplare.
Në këto kushte, të gjithë tifozët në stadium, duhet të kenë shumë kujdes që të mos jenë subjekt i ndonjë shkeljeje, sepse në të kundërt rrezikohen që të kenë akuza të forta mbi shpinë.
Ai që do të guxojë të kryejë ndonjë vepër penale, me apo pa dron, do të përballet me gjykatën e krimeve të rënda dhe 15 vitet burg i ka të garantuara.











