Mbi 10 milionë grekë, kanë nisur t’i drejtohen kutive të votimit në këto zgjedhje të përgjithshme që në orën 07: 00 të mëngjesit të sotëm. Ndërkohë, të gjitha sondazhet e realizuara me opinionin publik gjatë fushatës elektorale flisnin për diferenca të ngushta dhe një garë të ashpër mes radikalëve të majtë të Syrizes dhe Demokracisë së re.
Në zgjedhjet e sotme në Greqi, vendimtare pritet të jetë shpërndarja e votës e 15% të popullsisë që u deklarua e pavendosur së cilës prej subjekteve do t’ia jepte votën. Për të pasur shumicën qeverisëse në parlament një parti duhet të marrë 38% të votave duke siguruar edhe 50 vende në parlament bonus për partinë e parë.
Në zgjedhjet e sotme në Greqi konkurojnë 14 parti dhe pesë koalicione. Sipas sondazheve, në parlamentin e ardhshëm do të hyjnë gjithësej tetë parti, çka vështirëson edhe më shumë marrjen e kuotave të larta nga dy partitë kryesore. Zgjedhjet e parakohshme të Greqisë, erdhën pasi Syriza humbi shumicën parlamentare gjatë muajit gusht. Situatën e vështirësoi edhe rënia e popullaritetit të Aleksis Cipras, ish-kryeminister, i cili pranoi kushtet e vështira të marrëveshjes me kreditorët, duke shkaktuar revolta e pakënaqësi.
Shteti grek mbetet në një krizë të thellë financiare dhe cilado qoftë partia fituese e këtyre zgjedhjeve, ka një rrugë të vështirë për mbikëqyrjen dhe zbatimin e reformave ekonomike. Analistët besojnë se mbetet plotësisht e pamundur që nga zgjedhjet e së dielës njëra prej partive të marrë vota të mjaftueshme, për ta formuar e vetme qeverinë.
E kjo mund ta rikthejë Greqinë për një kohë të pacaktuar në krizë me klasën politike. Vetëm një orë pasi të mbyllen qendrat e votimit në Greqi në orën 19:00, do të publikohen vlerësimet e para zyrtare të zgjedhjeve nga ministria e brendshme greke.abcnews












