Numri të personave që vrasin veten për shkak të aksioneve të qeverisë i është shtuar dje në mbrëmje edhe një i ri nga Kombinati.Tani edhe dëshmorë të kasës dhe kuponit tatimor pas atyre të energjisë dhe ndërtimeve pa leje.
Qiramarrësi i një servisi në zonën e Kombinatit në Tiranë i ka dhënë fund jetës pas kontrollit nga policia dhe inspektorët e tatimeve për kasën fiskale, duke rënë në kontakt të qëllimshëm me rrymën elektrike. Kabllot që ka prekur viktima janë shkëputur dhe zhveshur prej tij me qëllim kryerjen e vetëvrasjes.
Ngjarja ka ndodhur më datë 18 shtator 2015, rreth orës 18.30, në rrugën “Besim Alla“, në servisin e marrë me qira, nga shtetasi Elsion Nonaj.
Aty është gjetur i vdekur shtetasi 31-vjecar, banues në Tiranë. Ai mendohet se i ka dhënë fund jetës pasi ka përcjellë punëtorët që e ndihmonin dhe klientët si dhe ka ulur qepenat e servisit.
Dëshmitarë të zonës dhe banorët thonë se pak orë para ngjarjes policia dhe inspektorët e tatimeve e kanë paralajmëruar viktimën, baba i dy fëmijëve, se do të arrestohej dhe do t’i mbyllej biznesi në rast se të nesërmen gjendej pa kasë fiskale, sipas panoramës.












