Banorë të Shkodrës kanë dalë sot në një protestë, kundër masave shtrënguese të qeverisë, ndaj biznesit.
Më parullat “Ku po e çoni vendin”,” mashtrim me taksat fiskale”, etj., qytetarët kanë dalë rrugëve të qytetit në protestë. Tubimi ka nisur në pedonalen e qytetit. Sindikatat, sipërmarrësit dhe qytetarët që kanë dalë në mbështetje të tyre shprehen kundër masave, sipas tyre, drastike të Qeverisë kundër biznesit informal.
Njëri prej organizatorëve të protestës, kreu i Bashkimit të Sindikatave, Alfred Tukaj, i cilësoi masat e Qeverisë ndaj shkelësve si tepër të ashpra.
“Ne jemi për luftën ndaj informmalitetit, por jo për masat drastike ndaj biznesit”, tha Tukaj.
Protestuesit kërkojnë nga Qeveria zbutjen e masave dhe dhënien më shumë kohë biznesit për t’u formalizuar.
Disa ditë më parë, forca të shumta të Tatimeve, të mbështetura edhe nga Policia, ushtruan kontrolle në bizneset e qytetit, duke detyruar që shumë prej tyre të ulin qepenat.











