Në ambientet e Repartit Special RENEA , u zhvillua sot një ceremoni për përfundimin e kursit të trajnimit për Përdorimin e robotit nga Njësia Antieksploziv si dhe për dhurimin e dy robotëve antieksploziv dhe të një numri të konsiderueshëm jelekësh antiplumb për efektivat e këtij Reparti.
Në ceremoni nga Policia e Shtetit morën pjesë drejtues të Policsë së Shtetit, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, si dhe ICITAP.
ICITAP, në bashkëpunim me Policinë e Nju Xhersit, dhe Gardës Kombëtare të Nju Xhersit kanë sponsorizuar kursin një javor për njësinë Antieksploziv në Policinë e Shtetit, për përdorimin e robotit kundër mjeteve të improvizuara shpërthyese, në mënyrë që të forcohet aftësia e tyre reaguese dhe sigurimi i punonjësve të policisë gjatë procedurave të çaktivizimit.
Gjithashtu Ambasada Amerikane, Policia e Nju Xhersit, dhe Gardës Kombëtare e Nju Xhersit krahas trajnimit të zhvilluar për ekspertët e njësisë Antieksploziv , i kanë dhuruar kësaj njësie 2 Robotë Antieksploziv si dhe rreth 131 Jelekë Antiplumb për punonjësit e policisë së repartit Renea.
Në fund të ceremonisë, u bë shpërndarja e çertifikatave për përfundimin e kursit për 20 efektivë të njësisë Antieksploziv të Repartit Renea.











