Një 41-vjeçar me inicialet A. I., i cili i vodhi babait makinën, shpallet në kërkim nga policia e Beratit. Sipas policisë, ky person, automjetin tip “Benz”, e ka lënë peng te një person tjetër për 100 mijë lekë (të reja).
Denoncimi është bërë në polici nga babai i 41-vjeçarit, i cili ka thënë se i biri ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj tij dhe se është kanosur me jetë. Pas kallëzimit të 66-vjeçarit, policia shpalli në kërkim autorin e dyshuar të krimit. Ndaj tij rëndojnë akuzat e vjedhjes, mashtrimit dhe dhunës në familje.











