Shtëpia e një biznesmeni në fashatin Markat të Sarandës është vjedhur nga dy persona mbrëmjen e së hënës. Hajdutët kanë vjedhur me thyerje banesën e Ferik Hoxhës, por në momentin kur ata kanë hyrë në shtëpi nuk ka pasur njeri. Por, kur kanë dalë na shtëpia, ata janë parë nga djali i biznesmenit i cili po kthehej nga puna. Ai filloi t’i ndiqte hajdutët, ndërsa këta të fundit u futën në malin që ndodhej përballë fshatit. Aty, janë bashkuar edhe disa fshatarë , disa në këmbë e të tjerë me makinë në ndjekjen e dy personave.
Ndjekjes së tyre u janë bashkuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët filluan kërkimet në malin ku ishin drejtuar autorët e vjedhjes. Operacioni disa orësh që shkoi deri në përroin e fshatit Shalë, përfundoi pa rezultat për shkak të errësirës dhe terrenit të thyer.
Biznesmeni Ferik Hoxha është i njohur në fshatin Markat për aktivitetet e shumta që ai drejton, që nga punishtja e vajit, lopët e mbarështuara dhe punishten e mermerit, i cili i administron ato familjarisht. Sipas tij, hajdutët i kanë vjedhur 5 mijë dollarë, 3 mijë euro dhe 400.000 lekë të vjetër.
Policia po vazhdon ende kërkimet në rrugë operative për të kapur dy hajdutët që vodhën shtëpinë e biznesmenit.












