Sportelet e QKR-së në të gjithë vendin, veçmas në zyrat e qeverisjes vendore janë këto ditë të tejmbushura me njerëz, të cilët nga pamja e jashtme duken fortë qartë se, nuk janë ata kodoshët e biznesit, porse të frikësuar nga ajo ç’mund të ndodhë me jetesën e tyre të përditshme pas shtatorit janë dyndur të regjistrohen.
Shumica e tyre kanë dy javë që rropatën për regjistrim dhe nuk ja kanë arritur ende, pasi është e pamundur nga kërkesat e mëdha, aq sa QKR nuk i përballon as me numra (nipte) siç thonë ata.
Në dukje shihet se aksioni ja ka arritur suksesit, pa nisur ende. Radhët në QKR sigurisht që do ta nderojnë qeverinë në letra. Në fund të shtatorit do të mësojmë se, mijëra biznese janë formalizuar, të ardhurat po rriten,etj etj, por në të vërtete kjo është drama e të varfërve.
Kush është kurioz të shkojë në sportelet e QKR dhe do të shohë qartë, se ata evazorët, janë bizneset e rreshkur nga dielli, më së shumti tregtarë ambulante, berberë lagjesh, rrobaqepës që nxjerrin bukës e gojës. Janë ata lloj biznesesh që e ndryshojnë aktivitetin tre herë brenda vitit, janë ata që falimentojnë edhe pa taksa, pasi kriza e konsumit është përplasur së paru në dyert e tyre.
Manjola është një ndër ta. Dikur punonjëse fasoni, tashmë ka një rrobaqepësi në ambientet familjarë, në zonën e Laprakës që me riparime kryesisht të rrobave të vjetra, nxjerr një rrogë jo më shumë se 30 mijë lekë në muaj. Ka një shtëpi me qira, një fëmijë dy vjeç për të rritur dhe një burrë pa punë. Është e shokuar pasi tatimorët i kanë fotografuar gjithçka dhe ka frikë se, mos i sekuestrohet makina qepëse aseti i vetëm me vlerë 500 euro që ja ka bërë dhuratë vëllai. Për dy javë Manjola nuk ka mundur të regjistrohet pasi radha është e gjatë. Ky është momenti i vyer për sekserët, të cilët kundrejt 2 mijë lekëve të zgjidhin hallin.
“Nuk është vetëm regjistrimi shton ajo, por duhet blerë edhe kasa, e cila është pamundur të përballohet me të ardhurat aktuale që siguron. Por në fund thotë se, e ka një zgjidhje do të ikë si gjithë të tjerët në Gjermani”.
Historia e Manjolës është historia e të gjithëve në radhët e QKR-së. Një mesogrua afër saj e regjur nga dielli teksa ka dëgjuar bisedën mes nesh ja nisi vajit me dënese. Me katër fëmijë për të rritur është pronare e nje tezge.
I gjithë ky përshkrim sado me dhimbje duhet të ndërgjegjësojë të gjithë se, ligji duhet zbatuar dhe se, të gjithë janë njëlloj para tij. Në këtë aspekt edhe ata ambulantet duhet ta njohin ligjin dhe të bëhen pjesë e tij.
Duke parë këto ditë në bilancet që 100 të mëdhenjtë kanë dorëzuar në QKR, ata që hyjnë në 20-tëshen e parë, kryemilionerët e Shqipërisë bëjnë evazion pa ju dridhur qerpiku. Me xhiro qindra miliona lekë nuk paguajnë asnjë tatim dhe raportojnë se kanë një mal fatura për të paguar. Monitor i ka zbuluar disa prej këtyre rasteve ditët e fundit. Ndërkohë që bizneset e vogla që nuk sjellin as 2 % të të ardhurave në raport me PBB janë futur në morsë, kur nga ana tjetër trarët e kontrabandës rrinë ngritur në dogana dhe kompanitë e mëdha bëjnë evazion hapur.
Nga hulumtimet e Monitor në bilancet e të mëdhenjve vetëm në dy kompani shpenzimet e fryra i kalojnë të 300 milionë dollarët.
Me këto logjikë, Partia Socialiste i ka braktisur themelin e ideologjisë saj për të qenë në krah te të varfërve. Njësoj si për aksionin e energjisë, ku dhuna deri në burg ja nisi për të varfrit dhe ata bizneset, avokatët, dentistët, ishin të fundit në radhë, madje rezultatet ndaj tyre mbeten të paqarta.
E njëjta logjikë po aplikohet edhe me luftën ndaj informalitetit. Aksioni nga ambulantet po fsheh evazionin ndër të mëdhenj që duket se kanë imunitet të pacenueshëm nga qeveria.
(Monitor)











