Një persona ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur në një familje në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Incidenti ka ndodhur në një familje, kur ish-dhëndëri i kësaj familje kishte ardhur në shtëpi dhe pas një zënke verbale ka nxjerrë armën dhe ka lënë të vrarë Riza Rrahimin, mbi 65 vjeç, babai i ish-bashkëshortes së tij, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur djali i tij Andan Rrahimi mbi 26 vjeç, mëson agjencia e lajmeve INA nga vendi i ngjarjes.
Sipas policisë, incidenti ka ndodhur rreth orës 11.15 në rrugën “Tode Mendol” nr. 140 në këtë lagje të Kumanovës.
Incidenti ka shpërthyer pasi që dhëndëri nga Kosova ka hyrë në shtëpinë e ish-bashkëshortes së tij dhe ka kërkuar që të marrë djalin e tij, për të cilin përkujdesej ish-bashkëshortja.
Por, zënka verbale ka shpërthyer në konflikt, që ka përfunduar me shkrepje armësh. I moshuari ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa djali i tij është në gjendje të rëndë në Spitalin e Shkupit.
Autori i krimit është në arrati, policia ka bllokuar vendin e krimit dhe po bën ekspertizën.
Para disa ditëve në këtë qytet u vra Xhemail Rexhepi i njohur si komandat “Shqiponja”.












