Fenomeni i azilkërkuesve në Gjermani nuk ka lënë pa prekur edhe qarkun e Dibrës. Vetëm nga rrethi i Matit numërohen rreth 7 mijë persona që të jenë larguar drejt Gjermanisë, ndërsa që në fillim të këtij viti e deri më tani, rreth 9 mijë persona kanë aplikuar për pasaporta biometrike. Duket se rrethi i Matit është prekur më shumë nga ky fenomen. Vetëm nga qyteti i Burrelit mendohet se është një shifër prej 2 mijë personash që kërkojnë të ikin, shumica e të cilëve të rinj që kanë ikur apo përgatiten për të ikur. “Punë s’ka, s’ke ku të vesh. Dua të shkoj në Gjermani, kam shpresë”, thotë një djalë i ri. Papunësia dhe mungesa e perspektivës janë faktorët kryesorë që i detyrojnë të rinjtë të kërkojnë azil në shtetin gjerman.











