SHISH ka reaguar lidhur me publikimin nga wikileaks të disa korrespodencave që shërbimi sekret ka mbajtur më një kompani të huaj që prodhon programe kompjuterike për përgjimin e telefonave.
Veprojmë në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera rregulluese, ka shpjeguar zyra e shtypit e këtij institucioni.
Sipas shërbimit sekret shqiptar, publikimi i atyre emaileve nuk përbën shkelje por është një procedurë rutinë në të cilën përfshihet institucioni me kompani që prodhojnë produkte që kanë lidhje me sigurinë. Po ashtu edhe pjesëmarrja në panaire bëhet për të qenë pranë teknologjisë dhe është një gjë normale.
Ajo ka saktësuar se në raste të blerjeve me qëllim realizimin e detyrave të tij SHISH bashkëpunon me Prokurorinë e Përgjithshme dhe në një rast të tillë merret aprovimi i kryeprokurorit.
Në vijim të deklaratës SHISH thekson se vijon të mbetet një institucion i besueshëm i shërbimeve aleate.
Vetë kryetari i SHISH ka punuar për kompani të teknologjisë kompjuterike gjatë kohës që ka qëndruar në Kanada.












