Temperaturat e stinës po vijnë gjithnjë e në rritje e po kthehen në një problem. Në kushtet e shtëpisë janë disa praktika mjaft të thjeshta për t’u realizuar, të cilat duhet ti kemi parasysh për të pasur një ambient sa më të freskët. Dimë tashmë që elektroshtëpiaket e ndezura, si soba, kompjuteri, laptop-i, DVD , mund të çojnë në rritjen e temperaturës së ambientit. Po ashtu edhe nxehtësia që lëshojnë llambat e ndezura kryejnë funksionin e vet në rritjen e temperaturës së ambientit.
Andaj, specialistët këshillojnë që të minimizohet përdorimi i elektroshtëpiakeve që prodhojnë nxehtësi dhe llambat e shtëpisë të mbahen të fikura. Kështu do të minimizohet një sasi e konsiderueshme e nxehtësisë që ato mund të sjellin.
Diçka tjetër që këshillohet nga specialistët për një ambient sa më të freskët është mbyllja e dyerve e dritareve. Kemi krijuar idenë që dyert e dritaret e hapura mund të sjellin freski në ambientin e shtëpisë, por në fakt nuk është kështu. Dyert e dritaret duhet të mbahen të mbyllura për të ndaluar kështu depërtimin e nxehtësisë që vjen nga jashtë. Gjithashtu duhet që grilat të mbahen të mbyllura për të ruajtur freskinë e ambientit. Këshillohet që ato të hapen në orët e para të mëngjesit, për të marrë freskinë e mëngjesit e në vazhdim të ditës ato duhet të mbyllen, për tu hapur sërish vetëm pas perëndimit të diellit kur fillon fresku i mbrëmjes.
Një formë tjetër për të sjellë freski në ambientin e shtëpisë është vendosja e luleve në ballkonin e shtëpisë. Kjo sipas specialistëve, ndalon rrezet e diellit të hyjnë në brendësi të shtëpisë. Lulet sjellin vetvetishëm freski në çdo ambient ku janë të vendosura e kjo shërben si një mënyrë për të zbukuruar ambientin e çka është më e rëndësishmja , për ta mbajtur atë të freskët.
Specialistët japin një tjetër këshillë, që lidhet me përdorimin e materialeve të duhura në veshjet tona e në çarçafët që përdorim. E rëndësishme është që të përdoren material pambuku e të lehta. Në lidhje me këtë, ka dhe një këshillë për detergjentin që përdorim në larjen e rrobave. Duhet bërë përdorimi i sasisë së duhur të detergjentit, që rrobat mos të jenë të forta e të mos irritojnë lëkurën, duke marrë parasysh edhe fortësinë e ujit që ndikon në të bërit të rrobave të ashpra.
Këshilla më e rëndësishme që vjen nga specialistët është ajo që lidhet me fillimin e kompozimit të një shtëpie. Ajo çka duhet të kemi parasysh sipas tyre, është që të kujdesemi të investojmë në material e mekanizma që kujdesen për shtëpinë tonë gjatë gjithë vitit, siç është ajo e izolimit të dritareve që bëjnë të mundur mbajtjen e shtëpisë të ngrohtë në dimër e të freskët në verë.











