Kancelarja Merkel, përpos pritshmërive, ka qenë e rezervuar sot për premtime konkrete, qoftë për integrimin e Shqipërisë në BE, qoftë për ndonjë mundësi konkrete bashkëpunimi ekonomik.
Për kancelarin gjermane, në daljen publike në konferencë shtypi me kryeministrin Edi Rama, e rëndësishme është që Shqipëria për integrimin të plotësojë standardet, ndërsa për bashkëpunimin ekonomik, të krijojë kushtet e duhura ligjore.
Angela Merkel
Anglea Merkel e ka konsideruar të rëndësishme perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Është në interesin tonë që vendet e Ballkanit Perëndimor, të kenë një perspektivë të mirë integrimi, kjo ka të bëjë edhe me integritetin e BE”.
Kështu u shpreh në konferencën për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kancelaria gjermane Angela Merkel.
Ajo ka vlerësuar edhe perspektivën e bashkëpunimit ekonomik midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, por ka kërkuar që më parë krijimin e kushteve të duhura ligjore.
“Kemi mundësi të mëdha për bashkëpunimin tonë ekonomik. Për Shqipërinë e rëndësishme është krijimi i kushteve të duhura ligjore”.
Duke u ndalur në fusha të mundshme bashkëpunim ekonomik, Merkel ka renditur turizmin, energjinë, telekomunikacion, perspektivat e rinisë përballë problemeve të azilkërkuesve, kualifikimin e infermierëve,arsimin profesional, etj.
“Rinia ka nevojë për perspektiva të reja, në këtë kuptim bashkëpunimi ekonomik është një shtysë”, u shpreh Merkel.
Kancelarja Merkel ka kërkuar kryerjen e reformës në drejtësi.
“Për sa i përket reformës në drejtësi, Shqipëria ka mundësi të mira për të shfrytëzuar përvojën më të mirë të vendeve të Europës, sidomos edhe në luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Merkel.
Pjesë e deklaratës së kancelares gjermane ishte edhe emigracioni nga Shqipëria.
“Shqipëria nuk është vend që Gjermani do ti njohin azilantët. Por Gjermani ka nevojë për forcë të kualifikuar punëtore dhe që Shqipëria mund ta ofrojë këtë”, u shpreh Merkel.
Edi Rama
Nga ana e tij, më herët, kryeministri Edi Rama vlerësoi vizitën e kancelares Merkel në Shqipëri, Sipas tij, vizita e Merkelit “ka një vlerë të madhe për ne që mes gjithë këtyre ajo vijon të tregojë jo vetëm një vëmendje të veçantë. Ka rëndësi të madhe për ne që kancelarja i kupton thelbësisht përpjekjet dhe vështirësitë tona për të sjellë ndryshimet e dëshiruara nga komunizmi drejt një demokracie evropiane”, u shpreh Rama.
Më tej Rama tha se ky është takimi i tretë me kancelaren gjermane brenda një viti, një fakt sipas tij kuptimplotë për bashkëpunimin. Kryeministri e falënderoi kancelaren Merkel në emër të gjithë shqiptarëve për mbështetjen e vazhdueshme.
Kryeministri theksoi se Shqipëria është e vendosur të ndjekë shembullin e bashkëpunimit të Gjermanisë me Francën, për sa i përket raporteve të saja me Serbinë.
“Jemi të vendosur të ecim së bashku me fqinjët serbë nën shembullin frymëzues të Gjermanisë e Francës. Modeli franko-gjerman i programit të shkëmbimeve rinore, është e vetmja shprehje kuptimplotë e dëshirës së përbashkët për ti dhënë fund urrejtjes brez pas brezi por edhe aspiratës sonë për të bërë për të ardhmen e rajonit atë që bënë Gjermania e Franca për të ardhshmen e BE-së. Siç është jetike mbështetja e Gjermanisë, është e rëndësishme që BE-ja të bëjë pjesën e tyre. Sot e qartë se BE ka nevojë për Ballkanin sa çka nevojë Ballkani për BE-në. Një mundësi e tillë do të ishte tragjike jo vetëm për Ballkanin por edhe Europën. Paqja që kemi arritur deri këtu, ka vetëm një fjalë çelës, Europa”, u shpreh ai.
Pyetje – Përgjigjet
Më pas, kancelaria Merkel dhe kryemnistri Rama i janë përgjigjur interesimit të gazetarëve.
Për pyetjen e perspektivës integruese të Shqipërisë në BE, Merkel e vuri theksin te përmbushja e standardeve
“Ajo që na e përcakton ritmin, është përmbushja e standardeve, janë arritjet dhe një plan i caktuar masash veprimesh e prioritetesh, për të cilat vendos KE, nëse janë përmbushur apo jo në Shqipëri. Reforma në drejtësi ka progres por nuk ka përfunduar. KE i kushton vëmendje asaj çfarë shkruhet në letër dhe çfarë zbatohet. Ky nuk është proces që ngadalësohet nga ne në mënyrë artificiale”, u shpreh Merkel.
Nga ana e tij kryeministri Rama siguroi për angazhim në përmbushjen e detyrimeve.
“Pas përfundimit të reformës në drejtësi na lind e drejta të kërkojmë një datë për negociatat me BE. Detyrat tona i shërbejnë edhe modernizimit dhe demokratizimit të shtetit. Pas përmbushjes së detyrave kancelarja do të jetë e para që do të na mbështesë për hapin e radhës”, u shpreh Rama.
Për sa i përket pyetjes për emigracionin, Rama u shpreh se, “Migrimi po merr përmasa të mëdha që kërkon përgjegjësi të përbashkëta. Ne jemi në bashkëpunim intensiv me Gjermaninë e vendet e tjera për të dekurajuar flukse të tilla nga Shqipëria drejt vendeve të BE”.
Nga ana e saj kancelarja Merkel konfirmoi se është folur rreth problematikës së azilkërkuesve, për të cilin tha se kemi një bashkëpunim të mirë.
“Nuk besoj se do të kishim gjë kundër sikur Shqipëria të klasifikohej si vend i sigurt dhe të mos pranonim azilantë. Nuk mund të ndodhë që të kërkoni të hyni në BE dhe qytetarët tuaj të kërkojnë azil në vendet e BE”, u shpreh Merkel.
Pyetjes së fundit, në adresë të kancelares gjermane për mbështetje konkrete financiare të Gjermanisë ndaj Shqipërisë, Merkel i anashkaloi renditjen e ndonjë projekti konkret, duke ia lënë diskutimit të tyre në konferencën e radhës rajonale, në Austri.
E ngacmuar nga gazetarët, se a sheh ajo ndonjë lider në Ballkan midis Viuçiç dhe Ramës, Merkel me diplomaci nuk pranoi të etiketonte askënd prej tyre si të tillë, duke saktësuar se “Nuk ka lider në Europë apo në Ballkanin Perëndimor që të jetë kompetentë për të gjithë. Kompetentë për gjithë rajonin nuk mund të jetë askush, por duhet të jetë demokracia dhe bashkëpunimi rajonal”, përfundoi Merkel.












