Bursa e Nju Jorkut, bllokoi operacionet e saj pak orë më parë për shkak të një defekti teknik dhe jo një ndërhyrjeje informatike pirate, deklaroi një zëdhënës i NYSE.
Faqja e internetit e “Wall Street Journal” dhe kompania “United Airlines” raportuan gjithashtu probleme teknike, edhe pse autoritetet amerikane thanë se rastet nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën.
“Do t’ju ofrojmë të dhëna të mëtejshme sapo të jetë e mundur. Po përpiqemi të arrijmë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të jemi transparentë, në mënyrë që tregjet të rihapen normalisht”, shtoi ai.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Barack Obama është informuar mbi situatën dhe Komisioni i Sigurisë së Bursave deklaroi se po monitoron gjendjen, raporton reuters.
Tregjet amerikane ishin në rënie përpara se të ndaleshin operacionet, me problemet që filluan pas orës 11:30 me orën lokale, ndërkohë që edhe Kina pësoi një rënie drastike të aksioneve.











