Kryetari i PD, Lulzim Basha mblodhi në një tavolinë jo fort të madhe kryetarët e rinj të bashkive që i përkasin opozitës dhe PD-së, pak orë pasi Kryeministri Rama kishte organizuar një takim të tillë, ku një pjesë e kryebashkiakëve të PD-së nuk morën pjesë.

Ai deklaroi se drejtuesit lokalë do të përmbahen premtimeve të tyre në fushatë përmes projekteve që nxisin zhvillimin në zonat ku drejtojnë dhe ardhjen në ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. Ne kemi marrë zotime sëbashku dhe presim të përmbushen nga dita e parë deri në fund të mandatit. Gjithcka që lidhet me pushtetin lokal është në funksion të shërbimit të qytetarit dhe jo me interesa partiake. Qeveria e nisi këtë si interes partiak qysh me hartën territoriale e vazhdoi me zbritjen e qeverisë si kurrë më parë në fushatë, tha ai.
Në vijim Basha kritikoi qeverinë që ende nuk ka miratuar ligjin e ri për decentralizmin. “Pas hartës territoriale u premtua një ligj për decentralizmin ku ndër të tjera përcaktoheshin edhe fondet. Ku është ligji . Do të jetë pushteti lokal pushtet apo limon në dorën e qeverisë. Ai nuk e bëri ligjin se kështu kërcënoi qytetarët për votën duke u zënë në gojë buxhetin që në këtë gjendje varet jo nga ligji por nga tekat e tij”, tha Basha. Sipas tij për Kryeministrin ka prioritet pushteti dhe jo qytetari. Sot pushteti vendor është pranë një kolapsi total dhe përgjegjësia për këtë është e kryeministrit, tha kryetari i PD-së. Edhe sot Rama po kërkon heqje kompetencash të pushtetit lokal. Ai deklaroi se do të heqë policinë bashkiake. Cfarë do të thotë reciprocitet me pushtetin lokal. Në kontekstin evropian flitet për ligj dhe jo reciprocitet, theksoi Basha.

Në vijim kryetari i bashkisë ende në detyrë denoncoj deklaratën e Ramës për të vazhduar projektet e tij me beton në jug të Tiranës. “Ai ka deklaruar sot se do të betonizojë Tiranën. Ai e sheh qytetin si fabrikë të klientelës së tij financiare”, tha Basha.











