Gjykata e Apelit liron Pjerin Xhuvanin. Treshja gjykuese e Apelit me relator Alaudin Malaj dhe gjyqtarë të tjerë Agim Bendo dhe Shkëlqim Miri ka vendosur sot të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” dhe ka vendosur “arrest në shtrepi” për Pjerin Xhuvani, ish-drejtori rajonal të Tiranës i Fondit të Kujdesit Shëndetësor.
Pjerin Xhuvani u arrestua më se dy javë më parë për abuzime me fondin e rimbursimit të ilaçeve. Sipas prokurorisë, abuzim kryhej nëpërmjet 10 farmacive, të cilat kanë përfituar nga Fondi i rimbursimit më shumë se sa ishte parashikuar në kontratën e firmosur mes tyre dhe drejtorisë rajonale. Nga verifikimi i dokumentacionit, thonë hetuesit, janë konstatuar shuma të mëdha parash që kanë kaluar për llogari të 10 farmacive të tjera me firmën e drejtorit tashmë të arrestuar Pjerin Xhuvani. Disa prej këtyre farmacive janë shoqëri grosiste dhe disa të tjera janë farmaci që ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe kanë ekskluzivitetin e importit të disa lloj ilaçeve.












