#droni.al
Obelisku i ri në Kavajë, vepër e skulptorit Ilir Xhixha është një krijim me vlera i cili mund të vendosej në cfarëdo lloj parku kudo në Shqipëri duke i shtuar vlerat edhe hapësirës ku do të vendosej.

Pikërisht kjo cilësi e obeliskut e bën atë jo përfaqësues për ngjarjen të cilës i kushtohej një tjetër obelisk, tashmë i shkatërruar. Bëhet fjalë për protestat antikomuniste në Kavajë të vitit 1990.

Obelisku i mëparshëm që u prish nga qeveria e Ramës simbolizonte pikërisht atë ngjarje. Dhe në fakt ai obelisk kishte vlerë të madhe vetëm në sheshin e qytetit të Kavajës. Të gjithë bien dakord se ai nuk ishte një kryevepër, bile shumë larg veprës së Xhixhës, por po aq larg është vepra e Xhixhës nga qëllimi i përkujtimit të protestës së madhe të qytetarëve kavajas, të cilët ngritën për herë të parë në Shqipëri dy gishtat, simbol i demokracisë dhe lirisë.

Qeveria Rama vendosi të ngrinte një obelisk të ri, por në fakt me këtë vepër të re ai ka shndërruar kuptimin e tij. Pas pak vitesh ata që nuk e njohin historinë e Kavajës dhe të atij sheshi do të thonë për obeliskun se i kushtohet clirimit të qytetit nga nazistët gjermanë më 1944.












