Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta priti Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vučić duke mbajtur në sfond një pikturë ku shfaqen luftëtarë shqiptarë, mes tyre edhe Isa Buletini. Kryetari i Kuvendit Meta e vlerësoi vizitën e Kryeministrit Vučić në Tiranë si një moment historik për ecurinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila konfirmon trendin pozitiv të shkëmbimeve dypalëshe, i cili duhet materializuar në një angazhim edhe më konkret për avancimin e projekteve të përbashkëta në rajon.

Kryeministri i Serbisë z. Aleksandar Vučić shprehu kënaqësinë për realizimin e kësaj vizite të parë të një kryeministri serb në Tiranë si dhe mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë që ka gjetur në vendin tonë.
Në këtë drejtim, Kryeministri Vučić nënvizoi se duke patur parasysh që marrëdhëniet mes popullit serb dhe atij shqiptar janë kyçe në rajon, detyra e politikanëve të të dy vendeve është ndërtimi i mirëbesimit reciprok, me qëllim ngritjen e bashkëpunimit në një stad tjetër.











