Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se po ndjek me shqetësim të madh zhvillimet në Kumanovë. “Shpreh keqardhjen time për familjet e atyre që u vranë ose u plagosën. Është e rëndësishme që të gjithë liderët politikë dhe të komunitetit të punojnë së bashku për të rivendosur qetësinë dhe të kryhen hetime transparente për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Unë i bëj thirrje të gjithëve që të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në interes të vendit dhe të gjithë rajonit”, tha ai.
Edhe BE ka qënë e shqetësuar për situatën dramatike në Maqedoni . “Çdo përshkallëzim i mëtejshëm i dhunës duhet të shmanget, në interes të stabilitetit të përgjithshëm në vend”, deklaroi komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, një ditë më parë. Komisioneri evropian u kërkoi autoriteteve dhe të gjithë drejtuesve politikë dhe komunitarë të bashkëpunojnë për vendosjen e qetësisë dhe të kryejnë një hetim të plotë për ngjarjet me objektivitet dhe transparencë në bazë të ligjit.












