Banorët pranë rrethrrotullimit të Grabianit, kanë kundërshtuar sot aksionin e IKMT-së për prishjen e objekteve një dhe disakatëshe për rehabilitimin e rrethrrotullimeve në aksit Rrogozhine-Fier.
Mësohet se banorët kanë bërë rezistencë paraditen e sotme, 9 prill 2015. Përmes një njoftimi për shtyp IKMT informonte se operacioni parashikonte prishjen e objekteve një dhe disakatëshe ku do përdoret dhe lënda plasëse.
Sipas një njoftimi për shtyp të këtij Inspektorati, plani i punës ka nisur të zbatohet në rrethrrotullimin e Lushnjes.
“Operacioni parashikon mes të tjerash shembjen e dy objekteve një dhe disakatëshe, të ngritura pa leje përreth”, thuhet në komunikatë.
Mirëpo me nisjen e aksionit, në rrethrrotullimin e Gërmenjit, Inspektorati ka hasur në rezistencën e disa banorëve, të cilët kërkojnë dëmshpërblim për ndërtesat që do të prishen.
Banorët thonë se ndërtesat janë me leje dhe se nuk do të lejojnë prishjen e tyre, në rast se ata nuk do të kompensohen sipas rregullave për pronat e tyre.











